KOHI kreu dy intervista me Dr. Vjosa Dobruna, më 3 dhe 11 korrik 2013. Dr. Vjosa Dobruna u lind në Gjakovë. Ajo është pediatër dhe aktiviste për të drejtat e njeriut, themeluese e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, Shtëpia e Sigurtë për Gratë në Gjakovë dhe Qendra e Grave në Tetovë. Dr. Vjosa Dobruna shërbeu si kryetar i Bordit të Radios dhe Televizionit të Kosovës (RTK) dhe si Udhëheqëse Kombëtar i Departamentit për Qeverisje Demokratike dhe Media të Pavarur nën Misionin e Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Vjosa u bashkua me shërbimin diplomatik të Kosovës në vitin 2012 kur u emërua ambasadore e Republikës së Kosovës në Holandë. Ajo ka marrë disa çmime, duke përfshirë Çmimin Jonathan Mann për Shëndetin Global dhe të Drejtat e Njeriut, Çmimin Alexander Langer për të Drejtat e Pakicave, Çmimin Edward Barsky për Mjek të Guximshëm dhe Çmimin Ndërkombëtar të Gruas të Vitit. Vjosa Dobruna u bë një avokuese dhe mbështetëse e ashpër i shëndetit të grave dhe të drejtave të grave gjatë epokës së Millosheviçit, kur filloi dhuna kundër grave shqiptare në Kosovë. Përkatësisht aktivizmi i saj për të drejtat e grave filloi në vitet 1990, pasi u pushua nga spitali ku punoi si pediatër, megjithëse aktivizmi i saj politik filloi më parë, si përkrahëse e të burgosurve të ndërgjegjes, në mesin e tyre ishin edhe tre xhaxhallarët e saj. Për shembull, ajo u siguroi të paraburgosurve tableta valium - një nga artikujt e lejuar në burg, për të lehtësuar dhimbjen e torturës, në të cilën ishin të nënshtruar të gjithë të paraburgosurit. Në vitin 1993, ajo themeloi Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve me aktivistë të tjerë vendor, të cilët ishin zhgënjyer me mungesën e vullnetit të udhëheqjes shqiptare për të pranuar se gratë ishin në shënjestër si të tillë. Vjosa mbajti lidhje me feministët Italianë për të marrë fonde dhe mbështetje në kushte shumë të vështira. Si një mjek dhe një aktivist i të drejtave të njeriut, roli i saj ishte vendimtar në trajtimin dhe këshillimin e shumë grave në të gjithë Kosovën para, gjatë dhe pas luftës. Ashtu si Shukrije Gashi dhe të tjerët, Vjosa Dobruna u bë një udhëheqëse e patrembur përmes mësimeve që mësoi nga familja e saj, ku gjyshja, babai dhe xhaxhai i saj ishin aktivë në luftën antifashiste si partizanë dhe tre xhaxhallët e tjerë arritën një numër kumulativ e 25 vjet burgim si të burgosur të ndërgjegjes në burgjet jugosllave.